Një avion pasagjerësh dhe një helikopter i Forcave të Armatosura amerikane u rrëzuan në lumin Potomac pas një përplasjeje në ajër pranë aeroportit kombëtar të Uashingtonit “Reagan” të mërkurën në mbrëmje.
BBC shkruan se në bord ndodheshin 64 persona, nga ku deri më tani tetëmbëdhjetë trupa janë nxjerrë nga lumi Potomac.
Autoritetet amerikane po hetojnë dhe Aeroporti Kombëtar i Uashingtonit, Ronald Reagan, ka ndaluar të gjitha fluturimet. Pentagoni tha se helikopteri i përfshirë ishte një Sikorsky H-60 që u ngrit nga Fort Belvoir në Virxhinia.
“Tre ushtarë amerikanë ishin në bordin e avionit të ushtrisë”, tha kryebashkiaku i Uashington DC, Muriel Bowser.
FAA tha se do të hetojë incidentin, së bashku me Bordin Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB).
Zyrtarët në Uashington DC refuzuan të konfirmojnë raportet për viktima gjatë një konference për shtyp, duke thënë se ata ishin të fokusuar në përpjekjet e shpëtimit.
Megjithatë, CBS raportoi se 18 trupa janë nxjerrë nga uji. Raportet e hershme në mediat amerikane thanë se avioni i pasagjerëve mund të shihej i ndarë në gjysmë në lumin Potomac, ndërsa helikopteri ishte me kokë poshtë në ujë.
Dëshmitarët okularë?
Ari Schulman i tha NBC Uashington se e pa aksidentin tragjik në ajër. Ai tha se afrimi i aeroplanit dukej normale, derisa ndodhi goditja me avionin. Pasi kishte parë uljet e avionëve atje në të kaluarën, ai tha se pjesa e poshtme e një avioni nuk duhej të ishte e dukshme në errësirë. Shkëndijat, tha ai, i ngjanin një “qiriu gjigant romak” dhe shkuan nga pjesa e parë e avionit e deri tek bishti
Jimmy Mazeo tha se e pa aksidentin teksa darkonte me të dashurën e tij në një park pranë aeroportit. Ai kujtoi se kishte parë atë që dukej si një “flash i bardhë” në qiell. Mazeo tha se nuk mendoi shumë për atë që pa derisa shërbimet e urgjencës filluan të mbërrinin në vendngjarje.
Çfarë thonë zyrtarët amerikanë?
Presidenti Donald Trump tha se ai ishte informuar plotësisht për aksidentin e tmerrshëm dhe se po monitoronte situatën nga afër.Në llogarinë e tij në rrjetet sociale TruthSocial, ai ka ngritur gjithashtu pikëpyetje në ligje me ngjarjen e rëndë.
Nënkryetari JD Vance kërkoi lutje për ata që ishin në incident.
Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe Sekretari i Transportit Sean Duffy, emërimet e të cilëve u konfirmuan së fundmi, thanë gjithashtu se po monitoronin situatën.
I pyetur nëse shtigjet e fluturimit pranë aeroportit Ronald Reagan do të ndryshoheshin pas incidentit, Duffy tha se “ne do të ndërmarrim veprimet e duhura nëse është e nevojshme”.
Drejtori i Përgjithshëm i American Airlines, Robert Isom, shprehu “dhimbjen e tij të thellë” për përplasjen në një video e cila është postuar në faqen e internetit të linjës ajrore.