Mundësi i natyralizuar shqiptar, Islam Dudaev i ka dhënë Shqipërisë medaljen e dytë në këto Lojëra Olimpike që zhvillohen në Paris. Dudaev mposhti 13-12 kundërshtarin hungarez duke fituar medaljen e bronztë.
Dudaev u kualifikua direkt në duelin për medaljen e bronzit për peshën deri në 65 kilogramë në stilin e lirë pasi kundërshtari i tij amerikan u tërhoq.
Në sfidën për të bronztën, Dudaev u përball me Musukaev të Hungarisë.
Kjo është medalja e dytë e bronztë e Shqipërisë në olimpiadë. Të shtunën, Chermen Valiev bëri historinë duke i siguruar Shqipërisë medaljen e parë në Lojërat Olimpike.
Pas fitimit të medaljes së dytë në lojërat olimpike nga mundësi Islam Dudaev ka pasur një reagim në rrjetet sociale nga kryeministri Edi Rama.
Rama nuk fsheh gëzimin për fitoren e medaljes ndërsa nuk harron të hedhë thumbojë ata që nuk dinë të gëzojnë për suksesin e Shqipërisë.
“Ja edhe medalja e dytë olimpike në historinë tonë. Kush di të gëzohet le të gëzohet me shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Kujt nuk di të gëzohet le t’ia njohim meritën e hudhrës që ia mban larg Shqipërisë syrin e keq”, shkroi Rama.
Një reagim pati edhe nga kreu i shtetit, Bajram Begaj, i cili falenderon mundësin Dudaev.
“Islam Dudaev i dhuron Shqipërisë medaljen e dytë olimpike me një ndeshje fantastike. Faleminderit kampion”, tha ai.