Magjistari dhe iluzionisti i famshëm amerikan David Copperfield është akuzuar nga 16 gra për sjellje të pahijshme, sipas një hetimi të The Guardian.
Disa prej tyre kanë deklaruar se janë ngacmuar seksualisht nga Copperfield që në adoleshencë, ndërsa avokatët e magjistarit thonë se akuzat janë krejtësisht të rreme.
Akuzat kundër tij përfshijnë pretendimet se ai drogoi tre gra përpara se të kishte marrëdhënie seksuale me to. Pretendimet kundër magjistarit 67-vjeçar, të cilat ai i ka mohuar, shtrihen nga fundi i viteve 1980 deri në vitin 2014.
Gratë që kanë bërë akuza për sjelljen e Copperfield e takuan atë përmes punës së tij si një nga argëtuesit më të suksesshëm në botë. Disa nga gratë i thanë Guardian se vetëm pas lëvizjes në rrjet me hashtagun #MeToo, ato ishin ndjerë në gjendje të flisnin për përvojat e tyre me Copperfield.
I pyetur për pretendimet, Copperfield mohoi çdo lloj akuze. Avokatët e tij i thanë Guardian se ai “kurrë nuk ka vepruar në mënyrë të papërshtatshme me askënd, aq më pak me të mitur”.
Copperfield është akuzuar për sjellje të pahijshme edhe në të kaluarën. Një nga 16 gratë, Brittney Leëis, doli në publik në vitin 2018 me akuzat se ai e kishte droguar dhe sulmuar seksualisht në vitin 1988, kur ajo ishte një modele 17-vjeçare. Copperfield mohoi pretendimet.
Një grua tjetër i tha Guardian se kishte një përvojë të ngjashme, duke pretenduar se ajo dhe një mik ishin të droguar dhe se të dy nuk ishin në gjendje të jepnin pëlqimin përpara se ai të abuzonte seksualisht me secilën prej tyre.
Në katër raste të tjera, gratë pretenduan se Copperfield i kishte përqafuar ose i kishte bërë ta preknin atë në mënyrë seksuale gjatë performancave live në skenë. Tre ishin adoleshente në kohën e incidenteve. Familjarët e një 15-vjeçareje që ishin ulur në audiencë pohojnë se e panë atë të prekte gjoksin e saj.
Avokatët e Copperfield thanë se pretendimet se Copperfield i prekte gratë në mënyrë të papërshtatshme ishin “jo vetëm të rreme, por edhe të pabesueshme”.
Fallon Thornton, 38 vjeçe, i tha Guardian se Copperfield ia shtrëngoi gjoksin pasi e thirri në skenë gjatë një shfaqjeje në janar 2014 në hotel-kazino MGM Grand.
Ajo e raportoi pretendimin në MGM dhe Departamentin e Policisë Metropolitane të Las Vegasit, tregojnë të dhënat, por pretendimi i saj nuk u mor kurrë seriozisht.
Policia e Las Vegas i tha Guardian se e mbylli çështjen për shkak të “provave të pamjaftueshme”.
Një tjetër grua, Carla, pohoi se pasi u takua me Copperfield në një nga shfaqjet e tij në 1991, kur ajo ishte 15 vjeç, ai filloi ta telefononte natën vonë dhe kur mbushi 18 vjeçe, ajo kryeu marrëdhenie seksuale me të.
Copperfield po është përballur me akuza për shkak të lidhjes së tij me Jeffrey Epstein, trafikantin e paditur të seksit të fëmijëve që vrau veten në burg në vitin 2019. Copperfield ishte ndër individët e profilit të lartë që u përmendën në dokumentet gjyqësore të lidhura me Epstein, të cilat u zbuluan në janar.