Pas sezonit të rregullt si kryesues me pikë të plota, Partizani vijon serinë e fitoreve edhe në “play off”.
Të kuqtë triumfuan edhe në gjysmëfinalen e dytë kundër Vllaznisë në Shkodër me rezultatin 1-3, duke u bërë skuadra e parë finaliste e edicionit 2023-2024 në Superligën e volejbollit për meshkuj. Për sa i përket takimit të djeshëm në “Qazim Dervishi”, ishin shkodranët e ata që e filluan më mirë, duke fituar setin e parë 25-23. Por më pas doli në pah cilësia e kryeqytetasve, të cilët përmbysën gjithçka, duke marrë bindshëm tre setet e radhës në shifrat 15-25, 21-25 dhe 17-25, për t’i mbyllur llogaritë në harkun kohor prej 1 ore e 54 minutash.
Kjo është finalja e dytë radhazi dhe e katërta në pesë sezonet e fundit për skuadrën e Ylli Tomorrit, me “demat” që kanë pasur rol protagonisti prej disa sezonesh në sportin e rrjetës në Shqipëri. Tashmë Partizani pret të mësoj kundërshtarin, i cili do të dalë nga gjysmëfinalja ndërmjet Erzenit dhe Tiranës.
Shijakasit bënë një paraqitje fantastike, duke vendosur baraspeshën 1-1 me ndeshje. Pas ishin mundur në fushën e tyre, ekipi i Ilia Kojës gjeti forca dhe arriti të bëjë goditjen e madhe në kryeqytet, teksa i mposhti kampionët në fuqi me rezultatin 2-3 në sfidën e mbrëmshme në “Feti Borova”. Një ndeshje spektakolare, me të dyja ekipet që luftuan fort për fitoren, por miqtë u treguan më të saktë, duke dalë me triumfin e merituar. Ndryshe nga përballja e zhvilluar e parë, dje u pa në parket një tjetër Erzen. Shijakasit i treguan menjëherë dhëmbët, teksa fituan setin e parë 23-25, ndërsa kaluan në epërsi të dyfishtë, duke marrë edhe të dytin 22-25. Por Tirana nuk u dorëzua dhe arriti ta drejtojë ndeshjen, teksa u shfaq dominuese në dy setet e radhës, për t’i fituar ato bindshëm 25-17 dhe 25-18, duke e çuar takimin me set final. Seti i pestë ishte një “thriller” i vërtetë, teksa pas kryesimit fillestar të shijakasve, Tirana barazoi 13-13. Por Samb dhe Cruz “kopsitën” dy pikët e fundit, duke i dhënë suksesin 2-3 Erzenit në një takim maratonë, 2 orë e 12 minuta. Njeriu i ndeshjes ishe senegalezi Samb, protagonist absolut me 26 pikë për skuadrën shijakase. Tashmë kualifikimi do të zgjidhet me ndeshje shtesë, teksa më 18 prill do të luhet edhe raundi i tretë në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”.