Arti shqiptari në zi! Është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare, poeti dhe autori i një sërë këngëve, Jorgo Papingji.
Mësohet se ai ka ndërruar jetë në spital.
Kush ishte Jorgo Papingji
Ai ka lindur në Vlorë më 10 qershor të vitit 1942 dhe është autor e poet shqiptar, i njohur për këngët e tij të shumta. Papingji është një nga emrat më përfaqësues të muzikës shqiptare, qoftë popullore, të përpunuar apo asaj të lehtë, ku me anë të teksteve të shumta, të shtrira në kohë, ka krijuar një profil krejt të veçantë poetik e artistik.
Fjalët e teksteve të tij kanë një komunikim të gjerë me shikuesit e shumtë, në të katër anët e Shqipërisë dhe të botës shqiptare, kudo ku flitet shqip, ku emri i tij është një emër i mirënjohur e i nderuar, që iu thotë aq shumë adhuruesve të këngës, në të gjitha moshat dhe nivelet e shoqërisë shqiptare.
Tekstet e tij të kompozuara nga kompozitorë të shquar dhe kënduara nga këngëtarë e këngëtare sharmante janë bërë hite, sidomos disa këngë të mirënjohura festivalesh dhe ciklet e këngëve për fëmijë, ku stilizohen në mënyrë poetike lojërat e shumënjohura fëmijërore.
Që në moshë të njomë, në mbarim të klasës së katërt fillore, Jorgo Papingji nisi të merret me poezi dhe shkrime, duke kontribuar dhe në dy gazetat e shkollës, njëra humoristike dhe tjetra serioze, me krijimtarinë e tij, sidomos në lëmin e poezisë, ku emri i tij ishte ndër emrat kryesorë.
Si tek të gjithë poetët, poezia e tij merr rrugë me fletoret intime të vjershave, me vargjet e para për dashurinë, për vete apo për ndonjë shok a shoqe që ia kërkonte, shkëmbimi i mesazheve me anë të vargjeve, një modë tanimë e harruar.
Për herë të parë botoi në gazetën “Zëri i rinisë”, një cikël me poezi dhe që nga ajo kohë ai dhe poezia ishin miq të ngushtë e të pandarë.
Bashkëpunimi i parë i Jorgos si autor teksti ka qenë me kompozitorin e shquar Aleksandër Lala në këngën që bëri aq shumë bujë në atë kohë “A ta fshij apo ta gris”; ishte një këngë për fëmijë, që aso kohe ngjalli shumë reagime pozitive dhe emocione estetike.
Me kompozitorin Lala, Papingji pati një bashkëpunim të gjatë e të frytshëm, falë shijeve të përbashkëta artistike, për të përcjellë këngë me një fluks të gjerë mesazhesh dhe ngarkesash emocionale.
Mbi katër mijë tekste këngësh kanë qarkulluar që atëherë e deri tani me autor Jorgo Papingjin, duke bërë që emri i tij të jetë një emër i dashur për njerëzit, të cilët janë aq të lidhur me këngën dhe poezinë që e bashkëshoqëron, duke e identifikuar autorin e këtyre teksteve me mesazhet e ngrohta e të çiltra që burojnë nga thellësia e zemrës poetike, me një lirizëm të gjallë e spontan.
Papingji ka shkruar 5 këngë fituese në “Festivali i Këngës”, njëri prej të cilave ka marrë pjesë edhe në Festivalin Evropian i Këngës në vitin 2014.
Ai është emëruar “Mjeshtri i Madh”. Jorgo Papingji ka shkruar mbi 4000 këngë.
Krijimtari e Jorgo Papingjit
1980 – “Kur jemi bashkë të dy” (i kryer nga Luan Zhegu)
1990 – “Askush s’do ta besojë” (i kryer nga Anita Bitri, fitues)
1991 – “Fat dhë jetë” (i kryer nga Anita Bitri)
1993 – “Kur e humba një dashuri” (i kryer nga Manjola Nallbani, fitues)
1993 – “Rri me mua” (i kryer nga Mira Konçi)
1994 – “I thuaj jo” (i kryer nga Ardit Gjebrea)
1995 – “E doni dashurinë” (i kryer nga Luan Zhegu dhe Ledina Çelo)
1999 – “S’jam tribu” (i kryer nga Aurela Gaçe, fitues)
1999 – “Apokalipsi” (i kryer nga Irma dhe Eranda Libohova)
2001 – “Jetoj” (i kryer nga Aurela Gaçe, fitues)
2004 – “Hëna dhe yjët dashurojnë” (i kryer nga Luiz Ejlli)
2005 – “E dua këngën” (i kryer nga Evis Mula)
2007 – “Po lind një yll” (i kryer nga Rosela Gjylbegu)
2009 – “Në pasqyrë” (i kryer nga Anjeza Shahini)
2010 – “Mirëmbrëma ëngjëlli im” (i kryer nga Dorina Garuci)
2011 – “Këngën time merr vehtë” (i kryer nga Bashkim Alibali)
2011 – “Më ler të të dua” (i kryer nga Mariza Ikonomi)
2012 – “Kush ta dha këtë emër” (i kryer nga Hersiana Matmuja)
2013 – “Zemërimi i një natë” (i kryer nga Hersiana Matmuja, fitues)
2014 – “Vetëm të ti bësoj” (i kryer nga Klajdi Musabelliu)
Këngë që morën pjesë në festivalin Kënga Magjike
1999 – “Vetëm një fjalë” (i kryer nga Elsa Lila, fitues)
Këngë që morën pjesë në Festivalin Evropian i Këngës
2014 – “One Night’s Anger” (i kryer nga Hersiana Matmuja)
Këngë që morën pjesë në Junior Eurovision Song Contest
2012 – “Kam një këngë vetëm për ju” (i kryer nga Igzidora Gjeta)