Rekordmeni botëror i maratonës për meshkuj, keniani Kelvin Kiptum ka ndërruar jetë në moshën 24-vjeçare për shkak të një aksident rrugor në Kenia.
Ai mbeti i vdekur së bashku me trajnerin e tij, Gervais Hakizimana nga Ruanda, teksa udhëtonin me makinë në rrugët e Kenias perëndimore të dielën.
Kiptum bëri një përparim në vitin 2023 si rival i bashkatdhetarit Eliud Kipchoge – një nga vrapuesit më të mëdhenj të maratonës – dhe përmirësoi arritjen e Kipchoge në Çikago tetorin e kaluar, duke arritur 26.1 milje (42 km) në dy orë e 35 sekonda.
Në një mesazh në nder të Kiptum, ministri kenian i Sportit Ababu Namwamba shkroi në X: “Shkatërruese!! Kenia ka humbur një perlë të veçantë. S’kam fjalë për ta përshkruar.”
Udhëheqësi i opozitës dhe ish-kryeministri i Kenias, Raila Odinga, tha se vendi kishte humbur “një hero të vërtetë” dhe po mban zi “një individ të jashtëzakonshëm… dhe një ikonë të atletikës keniane”.
Presidenti i Atletikës Botërore, Sebastian Coe gjithashtu ka kryer nderimet për atletin, duke thënë se Kiptum ishte “një atlet i jashtëzakonshëm që la një trashëgimi të jashtëzakonshme, do të na mungojë shumë”.
Aksidenti rrugor ndodhi rreth orës 23:00 me orën lokale të dielën, njoftuan autoritetet lokale raporton agjencia e lajmeve AFP. Duke dhënë detaje të mëtejshme të aksidentit, policia tha se Kiptum ishte shoferi dhe automjeti “humbi kontrollin dhe u batua, duke lënë të vdekur të dy personat në vend”.
Ndërkaq pasagjerja e tretë në mjet, një femër, ka mbetur e plagosur dhe aktualisht ndodhet në spital.
Vetëm javën e kaluar, ekipi i Kiptum njoftoi se ai do të përpiqej të vraponte distancën në më pak se dy orë në maratonën e Roterdamit – një arritje që nuk është arritur kurrë në garat e hapura. Rritja e famës për babanë e dy fëmijëve ishte e shpejtë, pasi ai vrapoi maratonën e tij të parë në vitin 2022.
Kiptum konkurroi në konkursin e tij të parë të madh katër vjet më parë, duke vrapuar me këpucë të huazuara pasi nuk mund të përballonte një palë të tijat. Ai ishte në mesin e një numri të ri të atletëve kenianë që filluan karrierën e tyre në rrugë, duke u shkëputur nga tradita e kaluar e atletëve që nisnin në pistë përpara se të kalonin në distanca më të gjata.
Kiptum i tha BBC-së vitin e kaluar se zgjedhja e tij e pazakontë u përcaktua thjesht nga mungesa e burimeve.
“Nuk kisha para për të udhëtuar për të ndjekur seancat,” shpjegoi ai.
Trajneri i tij, Hakizimana, 36 vjeç, ishte një vrapues ruandez në pension. Vitin e kaluar, ai kaloi muaj duke ndihmuar Kiptum-in të shënonte rekordin botëror. Marrëdhënia e tyre si trajner dhe atlet filloi në vitin 2018, por dyshja u takuan për herë të parë kur mbajtësi i rekordit botëror ishte shumë më i ri.
“E kam njohur kur ishte djalë i vogël, duke kullotur bagëtinë zbathur”, kujton Hakizimana vitin e kaluar. “Ishte në vitin 2009, unë isha duke u stërvitur pranë fermës së babait të tij, ai vinte duke më shkelmuar në thembra dhe unë do ta përzjeja. Tani i jam mirënjohës për arritjen e tij”.