Kompania telefonike “One Albania” ka rënë pre e hakerave “Homeland Justice”. Këta të fundit kanë njoftuar paraditen e sotme se kanë vënë në shënjestër sistemet e kompanisë celulare “One Albania” dhe kanë në dorë të dhënat e mijëra shqiptarëve.
Grupi ka njoftuar në Telegram se ka marrë dhe asgjësuar të dhëna deri në 2 petabajt (2 petabytes). Për njohësit e teknologjisë, kjo është ndër njësitë më të mëdha të matjes së të dhënave kompjuterike.
Për ta thjeshtësuar, të dhënat prej 2 petabajt që i vjedhur kompanisë celulare “One Albania” janë të njëjta me 500 miliardë fletë formati standarde të printuara.
“Misioni ka filluar (DDMC). Albanian Mobile Communications (AMC) u hakerua nga Homeland Justice. Injorimi i “paralajmërimeve tona humanitare” u kushtoi gjithë këtë politikanëve tuaj të korruptuar. Por mos u mashtroni. Kjo do të vazhdojë derisa ta pastrojmë plotësisht vendin tonë nga terroristët.
Në këtë operacion, të marra së bashku, u fshinë më shumë se 2 petabajt të të dhënave të rrjetit të telekomunikacionit dhe rrjetit të brendshëm të të gjitha kompanive të lidhura, dhe të dhënat e rëndësishme do të publikohen së shpejti!
Ne kemi dashur vetëm të përcjellim një mesazh”, thuhet në njoftim.
Ky grupim hakerash, i njëjti me atë që sabotoi sistemet qeveritare të Shqipërisë një vit më parë, thotë se kompania celulare “One Albania” ka lejuar përmes shërbimeve të saj që muxhahedinët e MEK të kryejnë sulme kibernetike.
“Lejohet qasja në Terror-Telecom. MyOneAL, mbështetësi dhe ofruesi i fermës së trolleve të MEK dhe ekipeve të sabotimit kibernetik duhet të kishte mësuar më herët.
Megjithatë, më mirë vonë se kurrë! Cyber Eagles e Homeland Justice fitojnë gjithmonë”, thuhet në njoftim./Albeu