Sandro Tonali ka luajtur mbrëmë ndeshjen e fundit para skualifikimit. Mjaftonte koha për të shijuar “St James Park”, për të marrë një tjetër ovacion nga tifozët në këmbë në minutën e 65-të dhe më pas për të përjetuar “bilbilin” e fundit si prelud i verdiktit që do t’i komunikohet sot nga prokuroria federale, sipas asaj që raporton “Corriere dello Sport”.
Fjala është për 10 muaj pezullim, gjë për të cilën kanë rënë dakord edhe avokatët e mesfushorit italian. Në një periudhë të tillë kohore, Sandro do të jetë në gjendje të stërvitet, plus 8 muaj të tjerë dënime alternative, të tilla si takime me shoqatat amatore dhe ekipet rinore që do të mbahen në Itali, si dhe terapi për varësinë ndaj basteve, që FIGC do ta monitorojë nga distanca.
Nëse Tonali nuk do të respektonte këtë plan dënimi, ai do të skualifikohej 48 muaj, pezullim të cilin prokuroria e kishte identifikuar si një sanksion të përshtatshëm për bastvëniet e tij (madje edhe për Milanin dhe Brescia, skuadrat e tij, por gjithmonë për të fituar). Sikurse shihet, falë bashkëpunimit të mesfushorit italian me autoritetet kemi zbritje të dënimit në 18 muaj, me formulën 10+8.
Tonali do ta shohë sërish fushën në fund të gushtit të ardhshëm, pra pasi të ketë nisur Premier League 2024-2025. Dje, FIGC ka zgjidhur hapat e fundit teknikë, duke qenë se skualifikimi duhet të zgjerohet edhe brenda UEFA-s.
Nag ana e vet, Newcastle do ta pezullojë pagesën e pagës së Tonali (duke kursyer rreth 13 milionë euro bruto). Nga pikëpamja e marrëdhënieve me Milanin (që grumbulloi 80 milionë euro nga shitja), klubi kuqezi thotë se është i qetë dhe nxjerr në pah marrëdhënien e qetë dhe transparente me klubin anglez.