Kjo javë ka sjellë dy zbulime të jashtëzakonshme në astronomi që po i detyrojnë astrofizikanët të rishikojnë disa nga teoritë më të rëndësishme mbi lindjen e universit dhe përbërjen e materies së errët.
Zbulimi i parë ka në qendër një objekt misterioz të pagëzuar nga studiuesit me emrin “Phoebe”, i cili u pikas falë efektit të mikrolentës gravitacionale — çastit të shkurtër kur graviteti i tij zmadhoi dritën e një ylli të largët si një thjerrëz kozmike.
A është “Phoebe” një vrimë e zezë primordiale 13 miliardë-vjeçare?
Llogaritjet tregojnë se Phoebe ka një masë sa vetëm tre herë masa e Hënës sonë — jashtëzakonisht e vogël për një vrimë të zezë normale të lindur nga vdekja e një ylli. Pikërisht kjo madhësi e vogël i bën astronomët të dyshojnë se kemi të bëjmë me një “vrimë të zezë primordiale”, të formuar në sekondat e para pas Big Bang-ut, rreth 13 miliardë vjet më parë.
Nëse konfirmohet, ky objekt do të përbënte provën më të fortë deri më sot se vrimat e zeza primordiale mund të përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të materies së errët të padukshme që mban të bashkuara galaktikat.
Befasia tjetër: Teleskopi Euclid zbulon një kometë të panjohur
Ndërkohë, Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) bëri të ditur se teleskopi i saj hapësinor “Euclid” — i projektuar për të hartëzuar galaktikat miliarda vite dritë larg — ka zbuluar aksidentalisht kometën e tij të parë të panjohur brenda sistemit tonë diellor. Trupi i akullt ndodhet rreth 1.3 miliardë kilometra larg dhe ndjek një orbitë gjigante që zgjat mijëra vite, duke dëshmuar ndjeshmërinë e jashtëzakonshme të këtij observatori të ri evropian.


