Presidenti amerikan Donald Trump është shfaqur me një kapele ku shkruhet “Ta bëjmë Iranin sërish të madh”, duke rritur tensionet dhe shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit.
Fotoja është publikuar nga senatori amerikan Lindsey Graham, një aleat i afërt i Trump dhe i njohur për qëndrimet e tij të ashpra në politikën e jashtme. Pamjet janë realizuar gjatë një udhëtimi me Air Force One nga Florida drejt Uashingtonit, ku Trump shihet duke mbajtur kapelën e firmosur me sloganin që imiton “Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe”, por i referohet Iranit.
Kapelja, sipas mediave ndërkombëtare, shihet si një sinjal simbolik që lidhet me idenë e ndryshimit të regjimit në Iran. Ajo përmban gjithashtu një flamur iranian të përdorur përpara Revolucionit Islamik të vitit 1979.
Publikimi i fotos vjen në një moment kur Trump ka ashpërsuar retorikën ndaj Teheranit, pas kapjes së presidentit venezuelian Nicolas Maduro nga forcat amerikane në Caracas, një aleat i Iranit. Së fundmi, Trump ka paralajmëruar se SHBA do të ndërhyjë ushtarakisht nëse forcat iraniane të sigurisë vrasin protestues gjatë demonstratave antiqeveritare që po zhvillohen herë pas here në vend.
“Nëse fillojnë të vrasin njerëz, siç kanë bërë në të kaluarën, do të goditen shumë fort nga Shtetet e Bashkuara,” është shprehur Trump para gazetarëve.
Nga ana tjetër, zyrtarët iranianë i kanë hedhur poshtë kërcënimet, duke paralajmëruar se çdo sulm amerikan do të përballet me kundërpërgjigje. Lideri suprem iranian, Ali Khamenei, ka deklaruar se Irani nuk do t’i nënshtrohet presionit dhe se do të reagojë ndaj çdo agresioni.
Kujtojmë se në qershor, SHBA iu bashkua Izraelit në sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane, ndërsa Irani reagoi duke goditur një bazë amerikane në Doha. Pas këtyre zhvillimeve, palët arritën një armëpushim të përkohshëm.
Megjithatë, javën e kaluar Trump paralajmëroi se lufta mund të rifillojë nëse Irani tenton të rindërtojë programin e tij bërthamor apo arsenalin raketor. Operacioni amerikan në Venezuelë ka shtuar spekulimet se Irani mund të jetë objektivi i radhës i Uashingtonit.


