Rreth 400 mijë euro dyshohet të jetë shuma e grabitur gjatë sulmit ndaj një automjeti të blinduar të shoqërisë Aquila, i kryer në orët e para të mëngjesit të së hënës, më 5 janar, në autostradën A14, në territorin e Ortonës, provinca e Chietit.
Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, grabitja është realizuar nga katër ose pesë persona, të cilët kishin organizuar një plan të mirëkoordinuar. Ata kanë qëlluar me armë zjarri për ta detyruar automjetin e blinduar të ndalojë dhe për të penguar afrimin e personave të tjerë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:30, brenda pak minutash. Grabitësit kanë hedhur gozhda metalike në asfalt dhe kanë vendosur një mjet në mes të karrexhatës për të bllokuar qarkullimin. Pas grabitjes, autorët janë larguar me tre automjete, të cilat më vonë janë gjetur të braktisura në kilometrin 398 të autostradës A14. Dy prej makinave, Alfa Romeo Giulietta, janë djegur.
Aktualisht nuk është e qartë nëse grabitësit janë larguar në këmbë drejt zonës përreth apo nëse i priste një bashkëpunëtor tjetër. Automjeti i blinduar kishte nisur udhëtimin nga Ortona për të transportuar para në institucione bankare.
Sulmi ka shkaktuar pasoja të rënda në qarkullimin rrugor. Segmenti i autostradës ku ndodhi grabitja mbeti i mbyllur për një kohë të gjatë dhe edhe pas orës 13:00 u regjistruan radhë deri në 5 kilometra, sipas shoqërisë Autostrade. Probleme janë shënuar edhe në rrugën shtetërore Adriatike, ku trafiku u devijua për shkak të mbylljes së autostradës.


