Teknologjia po hyn në një epokë të re: roboti humanoid “NEO” nga kompania norvegjeze 1X Technologies sapo ka dalë në shitje dhe premton të bëjë çdo punë shtëpie që zakonisht do t’ju lodhte ju.
Për një çmim prej 20 mijë dollarësh, ose me abonim 499 dollarë në muaj, “NEO” është krijuar për t’u bërë ndihmësi më i mençur në jetën tuaj të përditshme. Ai fshin dyshemetë, pastron xhamat, sistemon rrobat, mban ushqimet dhe madje kujdeset që çdo gjë të jetë në vendin e vet — me vetëm një komandë zëri.
Roboti peshon rreth 30 kilogramë, ka trup të ngjashëm me njeriun dhe mund të mbajë ngarkesa të rënda. Ai lëviz qetësisht (vetëm 22 decibel zhurmë), mëson nga gabimet dhe përshtatet me ambientin përmes inteligjencës artificiale.
Kompania 1X thotë se qëllimi është të krijojë “robotin e parë të vërtetë për përdorim shtëpiak”, që mund të mësojë mënyrën tuaj të jetesës dhe të kujdeset për shtëpinë kur ju nuk jeni aty.
“NEO” po promovohet si shoku ideal i shtëpisë, që nuk lodhet, nuk ankohet dhe nuk harron asnjë detaj.
Aktualisht, roboti është i disponueshëm për paraporosi në SHBA, ndërsa kompania pritet të zgjerohet edhe në tregjet ndërkombëtare vitin e ardhshëm.
Çfarë mendoni ju… do ta blinit një robot që t’i bënte të gjitha punët e shtëpisë? / The Economic Times


