Nga Jetmir Salaj
Në Shqipëri, politika është kthyer në një shfaqje të vazhdueshme ku liderët e vjetër të tranzicionit dominojnë ekranet, mediat sociale dhe, metaforikisht, madje edhe frigoriferët e qytetarëve. Edi Rama, Sali Berisha dhe të tjerë premtojnë gjithçka për të fituar mbështetjen e elektoratit, ndërsa vendi vuan nga probleme të mëdha që mbeten të pazgjidhura.
Ekonomia është në ngërç, inflacioni po rritet, dhe qytetarët përballen me kosto të larta jetese. Ushqimi importohet nga Brazili dhe vende të tjera me standarde të dyshimta, duke vënë në pikëpyetje sigurinë ushqimore. Nafta mbetet ndër më të shtrenjtat në rajon, ndërsa spitalet publike nuk trajtojnë dot të sëmurët terminalë. Në sektorin e bujqësisë, fermerët janë të braktisur, dhe produktet cilësore si mishi dhe bulmeti po bëhen luks i papërballueshëm për shtresën e mesme.
Ndërkohë, bregdeti shqiptar – një pasuri kombëtare e dhuruar nga Zoti – po kthehet në një biznes privat, ku qytetari mesatar ka nevojë për kredi për të pushuar në plazhet publike. Hapësirat e dikurshme të lira po zihen nga interesa private, ndërsa shteti rri në heshtje e mbështet këte fenomen.
Në këtë errësirë politike dhe ekonomike, ende ekziston një shpresë. Shpresa nuk vjen nga partitë tradicionale që mbushin sallat me lekët e popullit, por nga një brez i ri shqiptarësh që jetojnë dhe punojnë në mbarë botën. Të rinj të ndershëm, të pa korruptuar dhe me vizion të qartë, të armatosur me dituri dhe eksperiencë ndërkombëtare por mbi te gjitha te pajisur me humanizem, kanë mundësinë të ndryshojnë rrjedhën e historisë.
Nëse Shqipëria do të ketë një të ardhme më të ndritur, ajo nuk do të vijë nga klasa e vjetër politike, por nga ata që besojnë në drejtësi, meritokraci dhe përparim real. Është koha që shqiptarët të mos zgjedhin më mes së keqes më të vogël, por të ndërtojnë një alternativë të vërtetë, një politikë të ndershme që synon rritjen e cilësisë së jetës për çdo qytetar shqiptar, kudo ku ndodhet. Shqiperia Behet.