Tetë vjet pas inaugurimit të tij të parë, Donald Trump pritet të marrë sot detyrën si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, pas një ceremonie spektakolare që do të mbahet në ambiente të mbyllura për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të ulëta në Uashington.
Vëmendja e mediave amerikane, por edhe ndërkombëtare është përqendruar në kryeqytetin amerikan.
Trump, i cili pas pak orësh do të bëhet zyrtarisht presidenti më i vjetër në historinë e SHBA-së, do të betohet sot në orën 12:00 (18:00 me orën shqiptare) përpara Kapitolit, simbolit emblematik të demokracisë amerikane.
Menjëherë pas kësaj, miliarderi republikan do të mbajë fjalimin e parë të mandatit të tij të dytë.
Për shkak të temperaturave të ulëta që mbizotërojnë ditët e fundit në kryeqytetin amerikan, ceremonia do të zhvillohet në ambiente të mbyllura, në Rotondën e Kapitolit.
Ky do të jetë inaugurimi i dytë me dyer të mbyllura në historinë e SHBA.
Presidenti i fundit që u betua në këtë mënyrë për shkak të të ftohtit ishte Ronald Reagan në 1985.
Mbrëmjen e djeshme, në prag të inaugurimit të tij, presidenti i zgjedhur foli para mijëra mbështetësve të tij në qendër të kryeqytetit amerikan.
Në atë fjalim plot pasion, ai i siguroi edhe një herë mbështetësit e tij se do të zbatonte premtimet e fushatës zgjedhore, të tilla si dëbimet masive të emigrantëve të paligjshëm dhe vendosja e tarifave ndaj vendeve si Meksika dhe Kanadaja, ndërsa premtoi t’i jepte fund luftës në Ukrainë dhe kaosit në Lindjen e Mesme, shkruan Vizion Plus.tv.
“Çdo urdhër ekzekutiv radikal i administratës Biden do të shfuqizohet brenda disa orësh pas betimit”, tha ai dje.
“Kapitulli” i inaugurimit do të mbyllet me një ceremoni në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit nesër, të martën.
Agjenda
Ora 05:00 (11:00 me orën shqiptare): Fillojnë kontrollet e sigurisë në Kapitol.
Ora 08:00 (14:00 me orën shqiptare): Mesha në Kishën Episkopale të Shën Gjonit në qendër të Uashingtonit. Trump dhe gruaja e tij Melania më pas do të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë për të pirë çaj me presidentin në largim Joe Biden dhe Zonjën e Parë Jill Biden. Tradicionalisht, presidenti në largim e shoqëron presidentin e ri në Kapitol.
Rreth orës 09:30 (15:30 me orën shqiptare): Fillojnë muzika live dhe fjalimet hyrëse. Carrie Underwood do të performojë “America the Beautiful” para inaugurimit të Trump.
Rreth orës 10:00 (16:00 me orën shqiptare): Fillojnë të mbërrijnë të ftuar zyrtarë.
Ora 11:30 (17:30 me orën shqiptare): Personat e ftuar duhet të kenë mbërritur në këtë kohë.
Ora 12:00 (18:00 më orën shqiptare): Sipas Kushtetutës kalimi i pushtetit bëhet pikërisht në orën 18:00, më 20 janar. Trump do të bëjë betimin presidencial gjatë ceremonisë së inaugurimit dhe do të mbajë fjalimin e tij të parë si president.
Pak pas orës 12:00 (18:00 me orën shqiptare): Mbahet ceremonia e nënshkrimit, gjatë së cilës presidenti, i shoqëruar nga këshilltarë dhe anëtarë të Kongresit, drejtohet në zyrën e tij pranë dhomës së Senatit për të nënshkruar emërime, memorandume, proklamata ose urdhra ekzekutivë. Më pas vijon Dreka e Kongresit, ku marrin pjesë presidenti, nënkryetari dhe të ftuarit e tyre, udhëheqës të Senatit dhe anëtarë të Komitetit të Përbashkët të Kongresit për Ceremonitë Inauguruese (JCCIC).
Ora 15:00 (21:00 me orën shqiptare): Fillon parada presidenciale. Fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej në Pensilvania Avenue dhe të përfundonte në Shtëpinë e Bardhë, por procesioni u zhvendos brenda në Capital One Arena për shkak të të ftohtit. Në paradë marrin pjesë banda ceremoniale ushtarake, grupe qytetare dhe grupe filarmonike.
Pas paradës, Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë për ceremoninë e nënshkrimit në Zyrën Ovale.
Masat drakoniane të sigurisë
Pas një fushate elektorale të shoqëruar nga incidente të shumta dhe dy tentativa për vrasje që synonin Donald Trump, e para në një tubim fushate, Uashingtoni po përjeton një dislokim të paprecedentë të forcave të sigurisë.
Rreth 25,000 policë dhe ushtarë janë mobilizuar, 48 km gardhe janë instaluar në perimetrin e sigurisë, snajperët do të jenë në çati dhe dronët në qiell. Shërbimi Sekret është përgjegjës për mbrojtjen e figurave të rëndësishme politike.
Të ftuarit dhe…të munguarit
Lista e të ftuarve përfshin multi-miliarderë të teknologjisë. Përveç Elon Musk-ut, njeriu më i pasur në botë, i cili përveçse një mbështetës ifinanciar i Donald Trump, është bërë edhe një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, krerët e Amazon Jeff Bezos, i Meta Mark Zuckerberg dhe Apple do të marrin pjesë.
Nga radhët politike, dy mungesa të dukshme në ceremoninë e inaugurimit: ajo e ish-zonjës së parë Michelle Obama dhe ish-kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, shkruan Vizion Plus.tv.
Barack Obama, i cili u pasua nga Donald Trump në mandatin e tij të parë në 2017, do të jetë i pranishëm, si dhe dy ish-presidentët e tjerë dhe bashkëshortet e tyre, Bill dhe Hillary Clinton dhe George e Laura Bush, sipas shtypit amerikan. Kryeministrat Giorgia Meloni e Italisë dhe Viktor Orbán i Hungarisë kanë marrë ftesa, por duket se Meloni do të marrë pjesë në inaugurim. Politikanët e ekstremit të djathtë njoftuan praninë e tyre.
Pas yjeve të Hollivudit Lady Gaga dhe Jennifer Lopez në vitin 2021, këtë vit këngëtarja e kantirit Carrie Underwood dhe tenori Christopher Mazio do të marrin pjesë në ceremoninë e betimit. Underwood pritet të performojë këngën patriotike “America The Beautiful”, ndërsa Mazio himnin kombëtar amerikan.