Intervista ekskluzive me fituesen për përkthim në gjuhën greke të “Fondit të Përkthimit nga Gjuha Shqipe në Gjuhe te Huaj”.
Pak ditë më parë në Tiranë, u mbyll konkursi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit i hapur që prej gati dy muajve, kishte shpallur kandidaturat nga 12 shtëpi botuese që morën pjesë në këtë eventi letrar.
Juria e udhëhequr nga përkthyesi dhe gazetari Erion Kristo, kurorëzoi 6 emrat fitues, veprat e të cilëve do te kenë mbështetjen financiare për t’u përkthyer nga Fondi i Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj, përkatësisht në gjuhët: italiane, spanjolle, kroate, greke, maqedonase, angleze dhe ruse.
Mes emrave të njohur të fituesve: Namik Dokle, Maklena Nika, Ylljet Aliçka, Manjola Nasi, Arjan Leka dhe Artur Spanjolli
Foli.al, sjell ekskluzivisht intervistën e njerës prej fitueseve të konkursit për përkthimin e veprës ne gjuhën greke, znj Maklena Nika.
Maklena Nika, ju jeni një poete tashmë e afirmuar për letrat shqipe. Çfarë keni shkruar?
“Oksimoron” dhe “Nitroglicerinë” janë dy vëllime poetike nën siglën e botimeve Toena. I pari është botuar në vitin 2020 dhe ka qënë kandidat për Çmimin Kombëtar të Poezisë nga Ministria e Kulturës. I dyti është botuar vitin e kaluar dhe ka fituar Çmimin për Poezinë më të Mirë 2023 nga platforma Bukinist.
Së fundmi, ky libër është financuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe leximit për t’u përkthyer në gjuhën greke?
Si çdo vit, kjo qendër organizon një thirrje të hapur për fondin e përkthimit të letërsisë shqipe në gjuhë të huaj. Këtë vit kësaj thirrjeje iu bashkuan 12 aplikime nga shtëpi botuese të huaja në gjuhë të ndryshme, nga të cilët u vlerësuan për t’u mbështetur financiarisht vetëm 6 aplikime. Ndjehem e vlerësuar që “Nitroglicerinë” ishte ndër fituesit e këtij fondi, sepse përkthimi i poezive në gjuhën greke ka një rëndësi shumë të madhe për mua. Lidhjet e mia me shkrimtarë dhe rrethe letrare në Greqi janë shumë të hershme, për shkak të angazhimit tim si përkthyese dhe pedagoge e letërsisë greke.
“Nitroglicerinë” ka një titull provokues, jo i zakonshëm për ligjërimin poetik. Si është pritur nga kritika letrare?
-Jam e lumtur që ky libër ka tërhequr vëmendjen e kritikës shqiptare. Besnik Mustafaj ka shkruar një kritikë letrare në të cilën paralelizon “Nitroglicerinën” me konceptin e Emil Cioran se fati i njeriut mund të kuptohet vetëm përmes sëmundjes. Te “Nitroglicerinë” kjo sëmundje është poetike, në kuptimin që ndjenjat dhe përjetimet për fenomene të zakonshme njerëzore, si dashuria, vetmia, humbja, harresa, ekzistenca shprehen me metafora gjuhësore mjekësore, psikologjike, psikoanalitike, fizike, kimike dhe erotike. Në fund të fundit, edhe dashuria nuk përjetohet vetëm shpirtërisht, por edhe fizikisht.
A është e lehtë për autorët shqiptarë të përkthehen dhe të botohen në Greqi?
Mund të them se shumë autorë shqiptarë të njohur janë përkthyer në gjuhën greke nga përkthyes shumë të mirë dhe janë botuar në shtëpi botuese prestigjoze. Në këtë rast, jam shumë e lumtur që poezitë e mia do të përkthehen në gjuhën greke nga përkthyesja Eleana Zhako, e cila ka përkthyer edhe Gëzim Qendron, Ardian Vehbiu, Ylli Demneri, Fatos Lubonja, Jeton Neziraj, Mimoza Hysa etj. Për më tepër, që edhe shtëpia botuese Eurasia është një shtëpi botuese greke shumë dashamirëse ndaj letërsisë shqipe. Ajo ka botuar në total 10 autorë shqiptarë.
Si përkthyese që jeni, a është i vështirë përkthimi i letërsisë shqipe në gjuhë të huaj, dhe më konkretisht në gjuhën greke?
Jam e mendimit që letërsia shqipe e përkthyer në gjuhën greke klasifikohet në një nivel shumë të lartë përkthimor dhe nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme promovuese është përqafuar ngrohtësisht nga lexuesi grek. Të përkthesh në një gjuhë të huaj do të thotë të përkthesh jo vetëm gjuhën, por edhe kulturën, mentalitetin dhe karakterin e shkrimtarit. Uroj që “Nitroglicerinë” të ketë të njëjtin nerv poetik dhe sukses në Greqi.
Kur mendoni që “Nitroglicerinë” do të jetë pranë lexuesit grek?
Procesit të përkthimit dhe botimit të një vepre letrare i nevojitet një hapësirë kohore e caktuar. Mendoj se pranverën e ardhshme libri do të jetë botuar në Greqi dhe takimin e parë me lexuesin grek do ta kem në Panairin e Selanikut, një event i përvitshëm dhe shumë i rëndësishëm për letrat greke.