Fieri u trondit këtë të hënë, pasi u ekzekutua me armë në mes të ditës efektivi i forcave speciale “Shqiponja Novrus Cenalia.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Fierit. rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin N. C., punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.
Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.
Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.
Ky është autori i dyshuar i ngjarjes së rëndë në Baltëz të Fierit ku u vra polici Novruz Cenalia. Asllan Mërnica, 23 vjeç, dyshohet se e qëlloi me armë zjarri efektivin e “Shqiponjave” për motive gjakmarrjeje. Gazetari Besar Bajraktaraj raporton se Mërnica mbante edhe emrin tjetër, Azgan.
Policia është vënë në kërkim të tij. Në terren ka zbritur edhe “Renea” me qëllim kapjen e tij. Në një prej lagjeve të Fierit është gjetur e braktisur makina me të cilën ai u largua pasi ekzekutoi efektivin e policisë.
Nuk përjashtohet mundësia që i riu të jetë ndihmuar nga persona të tjerë pasi ka braktisur automjetin në Fier.
Cenalia ishte veshur me uniformën e policisë, duke shkuar për të marrë turnin e punës kur u vra. Policia po vijon hetimet për të zbuluar rrethanat e plota të ngjarjes.