Shegushe Bebeti, artistja e njohur e cila qëndron pas personazhit të famshëm të të gjithë fëmijëve, Pinokut, ka qenë e ftuar në një intervistë ndryshe në podkastin e radhës të Fashion Guru’s.
Bebeti vetëm pak ditë më parë realizoi ekspozitën e saj me kukulla të cilat i ka krijuar vetë me materiale bazike si plastika, karton, copa të mbetura etj. Ajo ekspozitë për cilindo që e vizitoi, riktheu në memorje nostalgjinë e viteve kur flinin dhe zgjoheshin me zërin e Shegushes.
Në këtë podcast ajo tregoi gjithashtu edhe se si nisi pasioni ndër vite për të krijuar veshjet e saj.
“Unë kam filluar të qep që në moshën 15 vjeç. Më është bërë mani që kur marr një copë dhe realizoj një fustan, fund, apo pallto, kur tepron një copë goxha e madhe unë nuk e hedh, por e palos dhe e mbaj aty, në një dollap timin. Shpeshherë më shkonte mendja të bëja ca kukulla të bukura thjeshtë për qejfin tim. Në këto vitet e fundit në produksionet e mia private, teatrot e kukullave, kukullat i kam bërë vetë. Që kur bëra para disa vitesh një trajnim në Itali se si mund të ndërtoheshin kukullat me zarzavate, kartona, fruta, ishte shumë interesante dhe thash pse mos ta bëj”, u shpreh Bebeti.
Se si lindi dëshira për të krijuar veshjet e saj, ajo u shpreh se: “Mua gjithmonë më ka pëlqyer të vishesha bukur. Mami më thoshte se kur isha e vogël po të ishte diçka e bukur, por prej stofi që të shpon, unë nuk qaja. Po të ishte një pulovër e thjeshtë e lehtë dhe jo e bukur, nuk e doja dhe qaja. Kam menduar gjithmonë që njeriu nuk ka nevojë të ndjeki modën, Duhet të ndjeki atë që i shkon, të ketë identitetin e vetë. Sigurisht që nuk e përjashtoj modën, sepse diku merr një xhep, diku një jakë, diku një ngjyrë etj. Por nuk mendoj që të ndiqet 100%.”
E futur në botën e kujtimeve artistja kujtoi disa copëza historie të cilës ja kanë forcuar edhe më shumë dëshirën për pasionin e saj sot. Ajo tregon se një mbështetje shumë e madhe për të në fillime kanë qenë prindërit, por veçanërisht babai: “Babai kur më pa një fustan që e kisha qepur vet me copën e jorganit të tyre, i pëlqeu shumë dhe i tha mamit t’i blejmë një makinë qepëse dhe t’i qepi vetë. Dhe unë që prej atëherë çdo gjë që kam veshur dhe vesh i qep vetë. Edhe të brendshmet e mia i qepja vetë, sepse atëherë nuk kishte. Mamit ja merrja të gjitha copat, i merja çorapet me vija që për atë kohë ishte diçka moderne, që kur m’i shihnin në rrugë m’i grisnin”.
“Edhe për meshkuaj kam qepur shumë vonë, e kisha shumë vështirë me prerjen e këmishave. Me prerjen e supit. Ngatërrohesha me harkun e grykës, por e mësova dhe atë”, vijoi artistja e mirënjohur.
“Babin e kam pasur shumë mbështetës në këto që bëja edhe mamin, por babi ishte më shumë i dhënë pas të bukurës. I them një ditë ‘o ba do më ndihmosh me diçka’, ishte dhe i sëmurë. Po nëse mundem më tha do të ndihmoj. Kisha 1 metër e një çerek stof të bardhë, copë që na blinte mami për të qëndisur pajën. E vura mbi tavolinë dhe e vizatova me laps të gjithë stofin me babin dhe pastaj e qepa me makinë në çdo vijë. Dhe bëra fundin e korendit që nuk kishte atëherë. Kur vjen mami nga puna, më pyet çfarë po bëni dhe babai vetëm qeshte. I thash kam bërë një fund, por e dua të kuq gjak. Atëherë ekzistonte ngjyrosja. Ma çoi, e lyeu dhe doli sa i bukur. Me një palë këpucë të larta me takë dukej shumë bukur. Takat nuk lejoheshin në atë kohë dhe kur më shihnin që dilja me to, më thonin aman se do na marrësh më qafë”, tregoi Shegushe Bebeti.