Ish-futbollisti i Barcelonës, Dani Alves është dënuar me 4.5 vite burg për përdhunimin e një gruaje në ambientet e një klubi nate në Spanjë.
Vendimi u dha mëngjesin e kësaj të enjte në gjykatën ku Alves u dërgua me fugon policie. 40-vjeçari, baba i 2 fëmijëve, do të përballet me natën e parë në burg si i dënuar për abuzim seksual.
Avokatët e ish-lojtarit kanë deklaruar se vendimi do të apelohet. Vetë Dani Alves vijoi t’i mbetet deklaratës fillestare të tij duke pretenduar se ka kryer marrëdhënie seksuale me 23-vjeçaren por duke shtuar se kishte qenë me një pëlqim të dyanshëm.
Në vendimin e dhënë, Alvesit i kërkohet që të qëndrojë larg viktimës për 9.6 vite si dhe duhet të paguajë edhe 150 mijë euro shpenzime gjyqësore. Mediat e huaja shkruajnë se prokurorët kërkuan dënimin me 9 vite burg për ish-futbollistin ndërsa një prokuror privat i të abuzuarës kërkoi dënimin me 12 vite burg.
Alves, i cili u bë lojtari më i vjetër që përfaqësoi Brazilin në Kupën e Botës në dhjetor 2022 në Katar, ndodhet në burg prej më shumë se një viti.