Në episodin më të fundit të Fashion Guru’s, aty ku sekretet nuk mbesin më të tilla, u zbuluan gjëra që për hir të së vërtetës të gjithë e kemi pyetur të paktën një herë veten.
Për çfarë do thoni ju?! Përshembull sa mund të ketë qenë shuma më e madhe që mund të ketë marrë një modele në sfilatat e saj.
Cindy Marina, moderatorja dhe modelja e njohur shqiptare e cila ka prekur suksese të mëdha në botë, ishte e ftuara speciale për kënaqësinë e të gjithë ndjekësve të podcastit, që mes elegancës, brishtësisë dhe shqipes së saj të bukur, solli pa filtra eksperiencat që e kanë bërë emrin e saj sot, të përflitet gjerësisht në industrinë e modës.
“Kur mora ftesën nga Ema Savahl isha vetëm 14 vjeçe. Isha shumë e lumtur sepse ishte një koleksion i ri që ajo kishte krijuar dhe isha unë dhe një vajzë tjetër që ishim të përzgjedhura. Në këtë set gjatë gjithë kohës isha shumë e lumtur, euforike dhe e kam shijuar shumë. Madje akoma e kujtoj me shumë dashuri, sepse Ema të jep një pozitivitet të pa parë. Ajo ishte përvoja ime e parë që më ka hapur dyert drejt shumë mundësive të tjera dhe më ka bërë të kuptojë që kjo është një botë, që dhe unë mund të jem pjesë e saj”, u shpreh modelja.
E pyetur nga moderatorët se sa ka qenë shuma më e madhe që Cindy ka fituar në pasarelat e saj ndërkombëtare, edhe pse me ngurimin për ta thënë, ajo gjeti komoditetin dhe zbuloi se: “Po them se ku jam paguar më shumë. Ka qenë “Miss Universe” duke qenë se dola në “Top 20”. Unë u shokova se nuk e dija që do paguhesha dhe vetëm kur na erdhi njoftimi në llogari. Jam paguar midis 10- 20 mijë euro. Kjo ka qenë një nga vlerat më të mëdha”.
Modelja ndër të tjera u shpreh gjithashtu se shumë shpejt po pret me padurim bashkëpunimin me një revistë të huaj, emrin e së cilës nuk e zbuloi, por tregoi se do të jetë “cover”.
Nëse do ta shohim modelen, moderatoren dhe nusen e dashur shkodrane pjesë të ndonjë formati shqiptar në vazhdimësi, këtu la hapësirë për të dyshuar.
“Më kanë propozuar për t’u bërë pjesë e “Fermës”, është shumë interesante dhe më pëlqen, sepse është format ndryshe. Ka dhe ato sfidat brenda formatit. Mua më pëlqen të sfidoj veten në ambiente të ndryshme, të dalë jashtë “comfort zone”, por nuk e di nëse do arrij të jem këtë sezon”.
“Ferma” është formati më i ri që pritet të startojë së shpejti në ekranin e “Vizion Plus” dhe që do të bëjë bashkë personazhe të famshëm që do t’i shohim në kushtet e një jetese të thjeshtë dhe të bukur. Në të cilin ashtu siç e nënkupton dhe emri, thelbi do të jetë jeta në fshat.