Turma të zhurmshme njerëzish të paraqitshëm u mblodhën jashtë studiove të Hollivudit çdo ditë për gjashtë muajt e fundit, duke mbajtur parulla dhe duke marshuar. Skenaristët dhe aktorët amerikanë hynë në grevë.
Një nga arsyet ishte frika se Inteligjenca Artificiale së shpejti mund të shkruajë skenarë apo edhe role.
“Kur shkon për një vend pune, ata të skanojnë”, tha një aktore për role në sfond, e cila ishte e shqetësuar se fytyra e saj do të përdorej vazhdimisht në skenat e turmës. Teknologjia është “e neveritshme”, tha një tjetër, i cili e quajti përdorimin e saj “një shkelje të të drejtave të njeriut, një shkelje të karrierës”.
Marrëveshja e arritur në nëntor për t’i dhënë fund grevës, përfshinte edhe mbrojtje nga rivalët robotikë.
Pesë mijë milje larg, një tjetër turmë mblidhet rregullisht, zakonisht në një mot më të zymtë, por me gjallëri shumë më të madhe. Ndryshe nga aktorët dhe skenaristët e Hollivudit, këta njerëz janë shumë të entuziazmuar pas Inteligjencës Artificiale.
Jashtë një stadiumi në lindje të Londrës, grupe të të gjitha moshave, mblidhen shtatë herë në javë për të parë Abba Voyage, një formë virtuale të grupit ABBA, të krijuar me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, që jep shfaqje për 90 minuta për publikun.
Kjo shfaqje, e nisur në vitin 2022, tërhoqi 1 milion njerëz në vitin e parë dhe tërheq ende shitje në shumicën e netëve, duke arritur fitime prej rreth 2 milionë dollarësh në javë.
A do ta varfërojë talentin Inteligjenca Artificiale, siç kanë frikë aktorët dhe skenaristët e Hollivudit, apo do ta pasurojë më shumë? Është e lehtë të kuptohet pse yjet e Hollivudit janë nervozë. Me kalimin e viteve, teknologjia ka automatizuar shumë punë rutinë, por puna krijuese në zemër të biznesit është mbrojtur.
Jo më. Inteligjenca Artificiale gjenerative po grumbullon punë të mbrojtura nga të drejtat e autorit dhe po krijon letërsi, muzikë dhe video të të gjitha varieteteve, duke garuar me njerëzit në cilësi dhe tashmë duke i tejkaluar ata në sasi.
Kjo na shtyn të bëjmë pyetjen: në një botë me përmbajtje të pafund të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, a është ende e mundur të jesh një yll?
Protestuesit u kanë bërë thirrje sindikatave, avokatëve dhe politikanëve për të mbrojtur talentin njerëzor. Greva përfundoi në shtator dhe studiot e Hollivudit u zotuan se do të punësonin një numër të caktuar njerëzish skenaristë në filma dhe shfaqje televizive.
Studiot kanë ruajtur të drejtën për të përdorur Inteligjencën Artificiale për të krijuar ose për të ilustruar skenarë, por Inteligjenca Artificiale nuk do të njihet si autor, kështu që të drejtat e autorëve të njerëzve skenaristë, nuk do të pakësohen.
Nga ana tjetër, skenaristët kanë ruajtur të drejtën për të përdorur Inteligjencën Artificiale në punën e tyre. (Edhe pse nuk e pëlqejnë, shumë e konsiderojnë Inteligjencën Artificiale “bashkëpunëtorin më të mirë të shkrimit që kanë pasur ndonjëherë”, pranon një agjent i Hollivudit).
Hollësitë e marrëveshjes së aktorëve me studiot dhe shërbimet e transmetimit, nuk janë publikuar ende, por sindikata Screen Actors Guild, tha se përfshinte “dispozita të jashtëzakonshme për lejen dhe kompensimin, që do të mbrojnë anëtarët nga kërcënimi i Inteligjencës Artificiale”. Kjo ka të ngjarë të nënkuptojë që aktorët do të njoftohen dhe do të paguhen nëse zëri i tyre do të rikrijohet në mënyrë dixhitale.
Linja e dytë e mbrojtjes së yjeve është ajo ligjore. Një grup autorësh, duke përfshirë skenaristin John Grisham (i cili ka shkruar “The Firm” dhe dhjetëra thriller të tjerë) dhe George R. Martin (i cili ka shkruar “Game of Thrones”), kanë ngritur një padi të përbashkët kundër firmës Openai, krijueses së platformës ChatGPT, duke argumentuar se platforma ka gëlltitur punën e tyre pa leje apo pagesë.
Një ankesë tjetër, ku ndër palët përfshihet Universal Music Group, kompania më e madhe e diskografisë në botë, akuzon firmën e Inteligjencës Artificiale Anthropic, e mbështetur nga Amazon dhe Google, se ka bërë diçka të ngjashme me tekstet e këngëve.
Kompanitë e teknologjisë argumentojnë se “trajnimi” i një modeli të Inteligjencës Artificiale është një përdorim i drejtë. Matthew Sag, nga Universiteti Emory, thotë se Inteligjenca Artificiale nuk kopjon fjalë për fjalë “si një shkrues në një manastir”, por e përdor tekstin si themel për të mësuar.
Të dhënat ku trajnohet Inteligjenca Artificiale, qofshin romane apo këngë, zakonisht luajnë një rol aq të vogël në prodhimin e modelit, saqë mund të gjurmohen me vështirësi.
or jo gjithmonë. “Për shembull, nëse i jepni si urdhër ‘të shkruajë në stilin e Dan Brown (autorit të librit ‘Kodi i Da Vinçit’), sigurisht që rezultati do të jetë marrë i gatshëm nga librat e Dan Brown”, deklaron Mary Rasenberger, kryetarja e Shoqatës së Autorëve.
Ndërsa gjykatat po fillojnë të hidhen në veprim, edhe qeveritë po përfshihen. Më 30 tetor, presidenti amerikan, Joe Biden, lëshoi një urdhër ekzekutiv që përcakton rregullat themelore për zhvillimin e Inteligjencës Artificiale. Zyra Amerikane për të Drejtat e Autorit po kryen një hetim për Inteligjencën Artificiale, i cili do të mbyllet këtë muaj.
Ka edhe rrezik që qeveritë të garojnë me njëra-tjetrën për të krijuar mjedisin rregullator më “tolerues”, për të tërhequr kompanitë e Inteligjencës Artificiale, paralajmëron një burim i brendshëm i industrisë muzikore. Të tjerë përmendin si shembull valët e mëparshme të risive të nxitura nga teknologjia dhe besojnë se ka hapësirë për kompromis.
Kur u shpikën platformat e transmetimit të muzikës, “ne na zuri paniku” pranon një drejtues i lartë i një kompanie diskografike.
U desh një dekadë që kompanitë të kuptonin se teknologjia ishte e mirë për biznesin dhe të bënin një marrëveshje me platformat e transmetimit. Bisedimet me kompanitë e Inteligjencës Artificiale do të zgjasin sa gjysma e asaj kohe, parashikon ai. “Ajo që kërkohet është bashkëjetesa në harmoni”.
Kur të vendoset ligji, kush do të fitojë dhe kush do të dalë i humbur nga teknologjia? Në një pamje të parë, yjet më të mëdhenj duken më të pambrojtur. Inteligjenca Artificiale i ndihmon njerëzit e zakonshëm të ngushtojnë hendekun me më të talentuarit. Këtë e kanë treguar tashmë disa industri.
Në prill, një studim nga Erik Brynjolfsson në Universitetin Stanford zbuloi se agjentët e ndihmës ndaj klientit ishin 35% më produktivë kur kishin qasje në një Chatbot, ndërsa agjentët me përvojë nuk përfitonin shumë.
Diçka e ngjashme po ndodh edhe në botën e showbiz-it. Edhe përpara Inteligjencës Artificiale, mjete si autotune, i ndihmonin njerëzit pa ndonjë talent të veçantë, që të ktheheshin në idhuj. Brezi i ardhshëm i teknologjisë mund t’i bëjë karakteristika të tilla edhe më të fuqishme.
Kompania mëmë e TikTok, ByteDance, po vë në provë një aplikacion me emrin Ripple, i cili kthen në këngë profesioniste, çdo melodi që përdoruesit këndojnë në celularin e tyre. Firma startup amerikane Boomy, u mundëson kompozitorëve amatorë të krijojnë melodi origjinale me disa klikime dhe t’i ngarkojnë ato online në platformat e transmetimit si Spotify.
Aktorët e dobët mund të garojnë me më të mëdhenjtë, falë popullarizimit të mjeteve dixhitale si Vanity AI, të cilat përdoren nëpër filma si “Stranger Things” dhe “The Walking Dead” për t’i bërë aktorët të duken më të bukur ose më të frikshëm, sipas nevojës.
Shkrimtarët e patalentuar mund të frymëzohen nga aplikacione si Sudowrite, që prodhon ide të reja dhe propozon ndryshime të caktuara. Ky aplikacion e ka përshkruar veten si “bashkëpunëtori që keni dashur gjithmonë, që nuk paragjykon, që është gjithmonë aty për të lexuar ide të papritura që ju lindin në orën tre të mëngjesit”.
Sigurisht, shumica e punës së arritur nga Inteligjenca Artificiale, nuk mund të krahasohet kurrsesi me talentet e mëdha. Por ajo ka filluar të ketë ndikim falë sasisë së madhe të të dhënave që nxjerr. Platforma Boomy pretendon se ka prodhuar gati 18 milionë këngë (për krahasim, i gjithë katalogu i Spotify është pak më shumë se 100 milion).
Spotify tani shton më shumë se 100,000 këngë të reja çdo ditë, shumë prej tyre të krijuara nga Inteligjenca Artificiale. Sir Lucian Grainge, drejtuesi i Universal Music, ka paralajmëruar se muzika e vërtetë mund të mbytet në një “det zhurmash”, pasi platformat e transmetimit mbushen me këngë amatore.
Këngët e artistëve profesionistë po pakësohen gjithnjë e më tepër si pjesë e platformave. Në vitin 2017, artistët e regjistruar në kompanitë diskografike, përbënin 87% të transmetimeve në Spotify. Vitin e kaluar, pjesa e tyre ishte vetëm 75%.
Inteligjenca Artificiale e ka të vështirë të krijojë hite të vërteta, ama është e aftë të prodhojë atë lloj muzike që njerëzve u pëlqen ta dëgjojnë në sfond, ndërsa janë duke punuar, ose kur shkojnë për të fjetur. Këto këngë luhen për orë të gjata, kështu që arrijnë fitime të mëdha sipas modelit të pagesës të përdorur nga transmetuesit.
Disa njerëz në industrinë muzikore, dyshojnë se platformat e transmetimit po favorizojnë artistët amatorë, të cilët kanë më pak fuqi negociuese se shtëpitë e mëdha diskografike.
Ideja që transmetuesit mund t’i shtyjnë enkas dëgjuesit drejt kësaj përmbajtjeje, është “shumë shqetësuese”, thotë një drejtues i një shtëpie diskografike. Ai mendon se e vetmja gjë që i step këto platforma, është rreziku se mos bezdisin dëgjuesit.
Platformat e transmetimit i hedhin poshtë këto pretendime, duke thënë se nuk është në interesin e tyre të reklamojnë muzikë të keqe.
Në fillim të këtij viti, Spotify fshiu shumë këngë të prodhuara nga Inteligjenca Artificiale dhe thuhet se po ndryshon rregullat për ta bërë muzikën e dëgjuar në sfond, më pak fitimprurëse. Deezer dhe Tidal, dy rivalë më të vegjël, kanë marrë masa të ngjashme.
Edhe bota e botimit ka ankesa të ngjashme. Krijimi i librave të tërë nga Inteligjenca Artificiale është aq i shpejtë dhe i lehtë, sa në shtator, Amazon i ndaloi autorët që të vetëbotonin më shumë se tre libra elektronikë në ditë, në platformën e saj Kindle dhe u kërkoi botuesve të etiketonin qartë librat e shkruar nga robotë.
Shumica e teksteve të krijuara nga Inteligjenca Artificiale janë me klishe dhe stereotipa. Por disa po tërheqin shitje me mashtrim: Shoqata e Autorëve ka vërejtur se biografitë e shkruara nga Inteligjenca Artificiale priren të publikohen pak përpara se të dalin botimet e shkruara nga njerëz.
Janë vënë re edhe përpjekje për të manipuluar renditjet e Amazon.
Për shembull, 40 nga 100 librat më të mirë romantikë për të rinjtë që janë renditur në Kindle, janë shkruar nga Inteligjenca Artificiale.
Megjithatë, pavarësisht gjithë këtij oqeani argëtimi të krijuar nga Inteligjenca Artificiale, yjet më të mëdhenj duket se janë më të gjallë se kurrë.
Ndërsa kompanitë diskografike shqetësohen për kompozitorët robotë, këngëtarja Taylor Swift po mban një turne që duket se do të jetë më fitimprurësi në histori, me shitje që parashikohet të arrijnë në 1.4 miliardë dollarë, ose më shumë (asnjë turne i mëparshëm nuk ka kaluar shifrën 1 miliard dollarë).
Një film mbi turneun ka arritur fitime prej 230 milionë dollarësh shtesë.
Colleen Hoover, një shkrimtare e trillimeve romantike për të rinjtë e rritur, i la mbrapa shkrimtarët robotë vitin e kaluar, duke zënë tetë vende në listën e 25 librave më të shitur në Amerikë, gjithsej 14 milionë kopje, sipas Publishers Weekly.
Një nga paradokset e epokës së internetit është se, me shpërthimin e përmbajtjes online në platforma si YouTube në TikTok, fansat janë grumbulluar si kurrë më parë drejt akteve më të mëdha.
Ka qenë një kohë e mirë për të qenë krijues amator, por një kohë edhe më e mirë për të qenë një superyll.
Të dhënat nga Spotify tregojnë se midis viteve 2017 dhe 2022, pasi në platformë vërshuan me dhjetëra miliona këngë amatore, numri i artistëve që fitonin të paktën 1000 dollarë në vit honorare u rrit me 155%.
Në të njëjtën kohë, numri i artistëve që fiton 5 milionë dollarë ose më shumë, u rrit me 165%, dhe një pjesë e vogël e titullarëve që fitojnë 10 milionë dollarë ose më shumë, u rrit me 425%.
Ata që kanë fituar më pak para se më parë, janë artistët me popullaritet mesatar, të cilët përballen me shumë konkurrencë dhe nuk kanë qenë në gjendje të depërtojnë në grupin elitar.
Prirje të ngjashme mund të vihen re në të gjithë botën e argëtimit. Teknologjia më e mirë dhe më e lirë, e ka demokratizuar filmimin. Numri i filmave të dalë çdo vit në Amerikë është dyfishuar gjatë dy dekadave të para të shekullit XXI, por pjesa e publikut që tërheqin filmat më të mëdhenj të suksesshëm, është rritur, nuk është zvogëluar.
Në vitin 2019 (viti i fundit para pandemisë), pesë filmat më të mëdhenj të Amerikës tërhoqën plot një të katërtën e shitjeve totale kinematografike, gati sa dyfishi i tregut që tërhoqën në vitin 2000 (shih grafikun 2).
Ndërkohë, dhjetë autorët më të shitur, kanë zënë 2-3% të shitjeve të librave në Britani në dekadën e fundit, sipas kompanisë së të dhënave Nielsen, edhe pse çdo vit, botohen rreth 2 milionë libra më shumë.
“Hitet do të vazhdojnë edhe në një botë me përmbajtje online të pafund”, argumenton Doug Shapiro. Shumëllojshmëria e madhe e bën të vështirë zgjedhjen për konsumatorët, kështu që ata shkojnë pas hiteve më të dëgjuara, qoftë të rekomanduara nga miqtë, ose nga algoritmet.
Në vend që të kërkojnë gjëra të reja, njerëzit zgjedhin atë që e kanë dëgjuar tashmë, thotë zonja Rasenberger nga Shoqata e Autorëve. “Shkrimtarëve të njohur po u shiten krijimet.
Të gjithë të tjerët po kalojnë një periudhë shumë më të vështirë”.
Inteligjenca Artificiale gjithashtu i ndihmon superyjet që të shkëlqejnë më shumë, duke krijuar mundësi që adhuruesit e tyre të bëhen superfansa. Më parë, fansat kishin vetëm kaseta, bluza dhe disqe.
Tani interneti ofron shumëllojshmëri mundësish për t’u lidhur me idhujt e tyre. Fansat mund të bëjnë duet me artistin e parapëlqyer ose të kërcejnë në rrjetet sociale në tingujt e muzikës së tyre. Lojëra si “Fortnite” kanë ofruar hapësirë për përvoja të tilla të lidhjes midis artistëve dhe fansave: Ariana Grande mbajti një koncert hibrid në platformë në vitin 2021, duke tërhequr 27 milionë pjesëmarrës.
Teknologjia e krijuar nga Inteligjenca Artificiale, mundëson që yjet më të mëdhenj, të jenë në më shumë vende, duke kënaqur edhe më shumë fansa. Prodhuesit e Abba Voyage po bëjnë bisedime për të sjellë shfaqjen në qytete në Amerikën e Veriut, Azinë Juglindore dhe Australi, sipas Per Sundin, kreu i kompanisë suedeze Pophouse, që është investitori më i madh në ndërmarrje.
Artistë të tjerë kanë qenë të interesuar në këto lloj koncertesh virtuale, duke kërkuar të “përforcojnë dhe të lartësojnë trashëgiminë e tyre” me shfaqje të ngjashme, thotë ai. “Tani kemi një shabllon që doli i suksesshëm”.
Yjet nuk kanë nevojë të ndërtojnë një arenë të posaçme si ABBA për të përdorur Inteligjencën Artificiale në dobi të suksesit dhe popullaritetit. Spotify po punon me kompaninë Openai për të përkthyer podcast-et në gjuhë të ndryshme, duke i lejuar transmetuesit të dëgjohen në më shumë tregje.
Kompani të tjera si HeyGen ofrojnë shërbime dublimi për video, duke përdorur Inteligjencën Artificiale për të ndryshuar lëvizjen e buzëve të aktorëve, në përputhje me atë çka thonë.
Firma HeyGen së fundmi krijoi një video virale të këngëtares Taylor Swift, që krijon iluzionin sikur ajo po flet rrjedhshëm në gjuhën kineze. Platforma të tilla mund të përshtasin përmbajtjen edhe në mënyra të tjera, për shembull, duke zbutur gjuhën e fortë për një publik më të gjerë. Teknologjia e tillë do t’i lejojë yjet të arrijnë më shumë shikues dhe paraqet një problem për aktorët më pak të njohur e popullorë.
Yjet gjithashtu po e përdorin Inteligjencën Artificiale për të udhëtuar në kohë. Më 2 nëntor, kënga “Now and then” e John Lennon, rihyri në listën e këngëve më të dëgjuara, pasi u përshtatën regjistrime të vjetra të zërit të tij, duke përdorur Inteligjencën Artificiale.
(Një përpjekje e ngjashme për të ringjallur këngët e John Lennon, ishte bërë edhe më parë, dhe George Harrison një tjetër anëtar i grupit Beatless, tha:
“Shpresoj që dikush ta bëjë një gjë të tillë me të gjitha këngët e mia, pasi të kem vdekur dhe t’i kthejë ato në këngë hit”). James Earl Jones, aktori amerikan 92-vjeçar që ishte zëri i karakterit Darth Vader pothuajse 50 vite më parë, i ka shitur Disney-t të drejtën për të përsëritur artificialisht tonet e tij të zërit.
Disa artistë po eksperimentojnë me licencimin e zërit ose të imazhit të tyre më gjerësisht. Në prill, këngëtarja kanadeze Grimes ftoi kompozitorë amatorë që të klononin zërin e saj për ta përdorur në këngët e tyre, me kusht që të ndanin të drejtat e autorit.
Në shtator, Meta paraqiti 28 personazhe në platformën chatbot, të luajtur nga njerëz të famshëm. Disa prej tyre janë Snoop Dogg, Paris Hilton dhe Charlie D’Amelio dhe thuhet se njëri është paguar 5 milionë dollarë gjatë dy viteve. Mark Zuckerberg, shefi i kompanisë Meta, fton yjet që “të ndërtojnë një version të vetes të krijuar nga Inteligjenca Artificiale, në mënyrë që njerëzit të përmbushin dëshirën për të bashkëvepruar me ju dhe për të ndërtuar një komunitet”.
Yjet e mëdha ende ngurrojnë: “Zëri është karriera e tyre”, thotë një drejtues ekzekutiv në një shtëpi diskografike. Por edhe nëse nuk lejojnë përdorimin e zërit ose të një zëri të ngjashëm me të tyrin, të tjerët mund ta huazojnë atë.
Një kompani e quajtur Socialdraft shet për 5 dollarë, “veçori” që i bëjnë chatbot-et të marrin personalitetin e personazheve të famshëm, nga Tom Cruise, deri te Stalini.
Ky mjet teknologjik është përmendur në një ankesë ligjore nga një grup autorësh. (Kompania Socialdraft e mohon se ka bërë ndonjë shkelje. Antonio Evans, drejtuesi i saj ekzekutiv, thotë: “Ndërveprimi midis Inteligjencës Artificiale, të drejtave të autorit dhe të drejtave individuale, është një rrëfim emocionues, në të cilin jemi të gjithë pjesë”).
Disa klone të paautorizuar janë bërë hite. Në prill, një kompozitor amator anonim publikoi një këngë të quajtur “Heart On My Sleeve”, duke përdorur zërat e dy reperëve, Drake dhe The Weeknd. Kënga u transmetua 20 milionë herë përpara se Universal, që përfaqëson dy artistët, të kërkonte që ajo të hiqej.
Kënga shkaktoi alarm, por gjithashtu tregoi se si klonimi mund të jetë në favor të artistëve. Analiza nga Will Page, autor i “Pivot” dhe një ish-kryeekonomist në Spotify, tregon se klonimi mund t’i ndihmojë yjet të shesin muzikë të vërtetë.
Ai vëren se pasi DJ francez David Guetta, postoi në shkurt një klip të një kënge rap të krijuar nga Inteligjenca Artificiale sipas stilit të Eminem, dëgjimi i këngëve të Eminem u rrit me rreth një të pestën.
Megjithatë, antipatia ndaj Inteligjencës Artificiale, mbetet e ashpër. Një grup aktorësh, shkrimtarësh dhe regjisorësh kanë krijuar një mjet të quajtur Credo23 për të certifikuar filmat dhe shfaqjet televizive të realizuara pa Inteligjencë Artificiale.
Shumë këngëtarë, që janë djegur nga pirateria dixhitale në të kaluarën, janë gjithashtu armiqësorë ndaj Inteligjencës Artificiale. Sir Cliff Richard, një këngëtar 83-vjeçar, kohët e fundit deklaroi se mënyra e tij e këndimit “nuk përfshinte fekondim artificial”.
Të tjerë kanë frikë se Inteligjenca Artificiale thjesht do ta bëjë botën e argëtimit të mërzitshme. Sipas sondazhit YouGov, tre të katërtat e amerikanëve shqetësohen se Inteligjenca Artificiale do të dëmtojë krijimtarinë njerëzore. Procesi i gëlltitjes së gjithçkaje dhe më pas nxjerrjes së një mesatareje, mund të çojë në një regres stilistik dhe konceptual drejt së rëndomtës, thotë një agjent letrar.
Sir Lucian, në kompaninë Universal, ka thënë se Inteligjencës Artificiale, “do t’i mungojë gjithmonë shkëndija me rëndësi thelbësore që i shtyn artistët më të talentuar të bëjnë punën më të mirë. Kjo shkëndijë është qëllimi”.
Gjithçka varet nga fakti nëse publiku do të përqafojë shfaqje të tilla artificiale. “A do të dëshirojë brezi i ardhshëm i shikuesve, të shohë një aktor tjetër në rolin e James Bond, për shembull?
Apo do të dojë që Sean Connery të rikthehej?” pyet një agjent hollivudian. Performancat e krijuara nga Inteligjenca Artificiale, mund të jenë më të vlefshme për yjet më të mëdhenj, të cilët kanë superfansa që nuk ngopen kurrë me ta.
Liam Gallagher, ish-anëtar i grupit muzikor Oasis dhe një fans i madh i John Lennon, kur u pyet në mediat sociale se çfarë mendonte për rindërtimin e këngës “Now and Then”, u përgjigj: “Beatles mund të bënin jashtëqitjen në çantën time të dorës dhe unë prapë do të fusja aty karamelet e mia me mente”. Monitor