Sylvinho dhe djemtë e tij po sjellin për tifozët një Kombëtare ndryshe, një ekip përfaqësues fantastik. Kurrë më parë nuk kemi parë një futboll të tillë, një skuadër kaq sulmuese, një skuadër të mbushur me kaq shumë talente, me lojtarë që luajnë në nivele të larta, të bindur në potencialin e tyre duke mos i lënë asgjë rastësisë. Nuk ka më terma, “luajtëm mirë, por nuk kishim fat”, tani jo vetëm që luajmë bukur, por nuk i lëmë asgjë në dorë fatit, dominojmë në lojë dhe rezultat. Sfida kundër Republikës Çeke vërtetoi edhe një herë këtë fakt, i shënuan 3 gola një ekipi që vinte pa asnjë humbje dhe vetëm dy gola të pësuar.
Në lojë janë dhe 6 pikë, Sylvinho dhe stafi i tij kërkojnë maksimumin pasi Shqipëria kërkon të mbyll Grupin E në krye, një përfundim i tillë duket i pashmangshëm. Tani me të drejt tifozët kanë filluar të bëjnë llogari jo më nëse do të shkojmë në “Euro2024”, por çfarë surprizë do të dhurojmë në Gjermani. Sipas të gjitha gjasave, Shqipëria, duke qenë kokë grupi në kualifikuese, do të renditet në vazon e dytë në shortin që do të hidhet për përcaktimin e grupeve. Nuk do të jemi në vazon e parë sepse kriter është renditja e përgjithshme dhe kuqezinjtë janë të fundit nga ekipet kryesuese me Gjermaninë si organizator, Francën, Portugalinë, Anglinë, Belgjikën dhe Skocinë që plotësojnë vendet e vazos së parë dhe do të ndeshemi me një nga këto ekipe.
Në vazon tonë, pritet të jenë skuadra si Turqia, Hungaria, Zvicra, Austria e Sllovenia çka bën që të mos përballemi me ta. Vazo e tretë është ajo më interesantja. Pavarësisht se është me e ulëta në nivel, emrat e skuadrave tregojnë të kundërtën, Spanja, Holanda, Kroacia, Danimarka, Rumania e mbi të gjitha, Serbia janë aktualisht në këtë vazo. Përballja me Serbinë në fazën e grupeve të Euro 2024 është një mundësi shumë reale. Këto janë renditje provizore pasi faza kualifikuese nuk ka mbaruar ende dhe deri në fund mund të kemi spostime të ekipeve, por kryesisht, këto janë vazot që pritet të ndahen në shortin e UEFA-s.