Në bordin e autobusit që u aksidentuar këtë të martë në Itali ishte një grup turistësh ukrainas. Mediat vendase shkruajnë se turistët po ktheheshin në Marghera pasi kishin qenë në Venecia. Automjeti i aksidentuar doli nga rruga dhe “fluturoi” për 10 metra, ndërsa më pas mori flakë nga kontakti me telat e energjisë elektrike mbi një hekurudhë. Autoritetet bëjnë me dije se janë nxjerrë të gjithë trupat e viktimave, si dhe të gjithë të mbijetuarit. I fundit që u nxor ishte shoferi, fatkeqësisht i pa jetë. Deri më tani raportohet për 21 viktima dhe 12 të plagosur.
“Ka shumë vdekje, shumë.” Këto janë fjalët e para të një zjarrfikësi që u largua për disa minuta nga zona e operacioneve të shpëtimit të autobusit që u rrëzua në Itali. Zona është kthyer në një skenë tragjedie, ndërsa policia nuk lejon askënd të hyjë. Janë të paktën 50 autoambulanca në vendngjarje për t’i dhënë ndihmën e parë pasagjerëve të plagosur.
Mediat vendase shkruajnë se ndonëse autobusi zakonisht shërbentë si linjë udhëtimi e qytetarëve, por ishte marrë me qira nga disa turistë nga një kamping në Marghera.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni, e cila ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave.
“Shpreh ngushëllimet e mia më të thella, personale dhe në emër të qeverisë, për aksidentin e rëndë që ndodhi në Mestre. Mendimet e mia shkojnë për viktimat, familjet dhe miqtë e tyre. Jam në kontakt të ngushtë me kryebashkiakun Luigi Brugnaro dhe me ministri Matteo Piantedosi për ndjekjen e lajmeve mbi këtë tragjedi”, shprehet Giorgia Meloni .
Ndërkohë shifrat konfirmohet edhe nga kryebashkiaku, Luigi Brugnaro, i cili nënvizon se bëhej fjalë për udhëtarë që ktheheshin nga puna në shtëpi.
“Të paktën njëzet të vdekur, një tragjedi e madhe. Autobusi i përfshirë në aksident po shkonte nga Venecia në Marghera, plot me njerëz që ktheheshin nga puna në shtëpi. Automjeti ka dalë plotësisht nga rruga dhe ka fluturuar nga ura. Ishte autobus, ishte autostradë. Jemi në zi, jam përpjekur t’ju jap informacionin që kam”.
“Ne kemi nxjerrë edhe viktimën e fundit, është shoferi”